Shtatë dëshmitarë janë paraqitur të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku po akuzohen 13 pronarë kompanish të lojërave të fatit. Një nga dëshmitarët theksoi se fitimi ishte për 94 për qind për klientët e 6 për qind për pronarët e aparatit të bixhozit. Prokuroria Speciale pretendon se ky indikator është ulur në 80 për qind në disfavor të lojtarëve. Nga kjo siç pretendon PRSK-ja në aktakuzën e 2021-tës me aktivitete të tilla pronarët përfituan kundërligjshëm një kumulativ prej rreth 10 milionë euro
Kthimi te lojtari (Return to Player) ka qenë 94 për qind te klientët e 6 për qind ishin lënë gjasat e fitimit të shtëpive ka thënë një dëshmitar për një biznes që Prokuroria Speciale e dyshon që jashtëligjshëm organizonte aktivitet bixhozi, ka thënë një nga shtatë dëshmitarët që të mërkurën janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Indikatori RTP, tregon se sa janë gjasat e fitores për lojtarin, e në kushte të gjasave të barabarta të fitores në mes të lojtarit e kazinos, “Kthimi te Lojtari” është i barabartë me 100%. Prokuroria Speciale në këtë rast po pretendon se kjo gjatë u ul në 80 për qind nga ndërhyrjet e pronarëve të shtëpive të bixhozit.
Në këtë proces gjyqësor akuzohen 13 persona për organizim të paligjshëm të bixhozit përmes ndërhyrjes në sistemet e aparateve të lojërave të fatit, e 11 nga ta edhe për shpëlarje parash.
Dëshmitari I.H., që është anëtar i familjes së ngushtë i të akuzuarit B.H., tha se fitimi ka qenë 94 për qind për kompaninë e 6 për qind për lojtarët. Ai ka treguar se vetë i ka rregulluar aparatet për nga ana mekanike, porse nuk ka pasur qasje në serverët e tyre.
“Atëherë, përveç pastrimit të këtij ‘bill acceptor’-it, a ke ndërhyrë, a ke rregulluar ndonjë defekt tjetër në aparat?, ka pyetur Suzana Çerkini, kryetare e trupit gjykues.
“Jo, s’kam pasur mundësi, sepse nuk ke pasur mundësi për ta hapur serverin... Për server s’kemi pasur çelës”, ka thënë I.H. dëshmitar.
“Përveç teje, a ka qenë dikush më profesional për ta rregulluar çfarëdolloj defekti”, ka pyetur Çerkini
“Po, kanë qenë ata të Shkupit, kam pasur një rast që i kam thirrur ata”, është përgjigjur I.H.
Edhe një tjetër dëshmitar ka thënë se nuk kanë qenë të mundshme ndërhyrjet mekanike në aparatet e lojërave të fatit. Ndërkaq ka thënë të mos jetë në dijeni për raportin e fitimit mes klientëve dhe shtëpisë ku përdoreshin aparatet e bixhozit.
“Nuk ka mundësi të mos funksionojë në aspektin elektronik. Asnjëherë nuk janë bazuar në mekanikë… Nuk jam në dijeni”, ka thënë F.H. dëshmitar.
Në këtë rast gjyqësor para dy vjetësh Edmond Jakupi e Tahir Bërbatovci e kanë pranuar fajin për shmangie nga tatimi dhe janë dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe 2.500 euro gjobë. Prokuroria Speciale dyshon se të pandehurit që janë aktualisht në proces gjykimi kanë kryer vepra të ndryshme penale dhe se në aparate të lojërave të fatit i kanë zvogëluar në 80 për qind gjasat që të fitojnë lojtarët duke i bërë rreth 10 milionë euro nga aktivitetet kriminale që lidhen me aparatet e lojërave të fatit.