Kronikë

Arrestohen 2 të dyshuar, në vitin 2021 grabitën para nga furgoni i një banke

Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirjen në një grabitje të armatosur që ka ndodhur në nëntor të vitit 2021.

Sipas njoftimit të Policisë janë arrestuar A.B. (1982) dhe V.S. (1992). Ata dyshohet se në bashkëpunim me katër të dyshuar të tjerë, nën kërcënimin e armës, kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash nga një furgon i një kompanie për transportimin e parave të një banke.

Rasti ka ndodhur në fshatin Parallovë në rrugën Gjilan-Prishtinë.

“Është arritur të sigurohen prova se të njëjtit me datën 18.11.2021 në bashkëveprim edhe me katër të dyshuar të tjerë të arrestuar më herët kanë qenë të përfshirë në një grabitje të armatosur e ndodhur në fshatin Parallovë në rrugën Gjilan-Prishtinë. Në këtë rast të dyshuarit e lartcekur duke përdorur armë zjarri të llojit AK/47 kishin shtënë në drejtim të një kombi të një kompanie për transportimin e parave të një banke, duke arritur të grabisin një shumë të konsiderueshme parash”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë kontrollit thuhet se në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të dy të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale për gjykatën: një pistoletë e llojit TT, dy karikatorë të armës së njëjtë, trembëdhjetë copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, para në vlerë 2600 euro, dy karikatorë të zbrazët të armës AK/47, një kondak i armës AK/47, trembëdhjetë copë fishekë të armës AK/47 si dhe gjatë copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. të pushkës automatike.

“Pas arrestimit të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Nga Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarve është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tyre do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘Grabitje’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore”, thuhet në njoftimin e Policisë.