Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas Policisë i dyshuari është arrestuar të hënën, për një rast që dyshohet se ka ndodhur me 6 janar.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se i arrestuari dyshohet se me qëllim të frikësimit të mikut të tij, kishte shtënë në ajër me armë zjarri.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan me datën 06.01.2023 kishte pranuar informatë për një rast të dhunës në familje në një fshat të Gjilanit. Në atë rast i dyshuari V.B. (1970) dyshohet se me qëllim frikësimi ndaj viktimës, mikut të tij kishte shtënë në ajër me armë zjarri. Patrulla Policore kishte dalë në vendin e ngjarjes por nuk kishte arritur që të takonte të dyshuarin me ç’ rast e kishte vënë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se të hënën, pas një pune mirë të organizuar operative nga ana e hetuesve policorë, është arritur që të takohet i dyshuari. Atij thuhet se i është konfiskuar një pushkë gjuetie si dëshmi për Gjykatën.
“I dyshuar pas arrestimit është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘Përdorim i armës’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore”, thuhet në njoftim.