Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet E.I., për shkak se i njëjti ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.
Ai ka mashtruar mbi 40 persona, të cilëve u ka shkaktuar dëm material në vlerë mbi 44 mijë euro.
Sipas aktakuzës, i pandehuri nga 27 korriku i vitit të kaluar në vazhdimësi deri më 14 shtator, në agjencinë e tij turistike në Pejë, duke paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, fillimisht “ka mashtruar disa klientë me bileta udhëtimi në drejtim të Turqisë, gjë që ka nxitur edhe shumë persona tjerë të kryejnë një veprim të tillë në dëm material të pasurisë se tyre, kinse ka aranzhuar biletave të udhëtimit dhe aranzhime në hotelet për pushime verore në Turqi, e me këto veprime i vë në lajthim viktimat”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë.
I pandehuri nga muaji tetor të vitit të kaluar me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Pejës gjendet në masën e paraburgimit.