Kronikë

KPK-ja i kërkon Prokurorisë në Prizren raport për veprimet që i ka ndërmarrë ndër vite ndaj “Kobrës”

Dibran Hoxhaj - Kobra

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren që ta përgatisë dosjen lidhur me veprimet prokuroriale që janë ndërmarrë ndaj Dibran Hoxhajt, i njohur si “Kobra”, i cili është edhe i dyshuar për vrasjen e fundit në Prizren.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton opinionin publik se menjëherë pas rastit të fundit të vrasjes së ndodhur në Prizren ku i dyshuar është Dibran Hoxhaj, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit të përgatisë raport lidhur me gjitha veprimet prokuroriale të ndërmarra ndër vite ndaj tij”, ka thënë në një komunikatë.

KPK-ja ka thënë se do t’i trajtojë veprimet që janë marrë ndër vite ndaj Hoxhajt.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bazë të kompetencave ligjore që ka, do të trajtojë me kujdes të gjitha veprimet e ndërmarra ndër vite nga prokuroria përkatëse ndaj Dibran Hoxhaj dhe çdo lëshim eventual do të sanksionohet në bazë të akteve ligjore në fuqi”.