Kronikë

Ndihmonin fëmijët të gjuanin me armë, Policia ua konfiskon ato dhe i liron

Policia e Kosovës ka njoftuar së të hënën në Prizren ka konfiskuar tri armë.

Armët janë sekuestruar nga personat e dyshuar, të cilët më datën një janar, rreth orës 00:05, kanë publikuar video në rrjetet sociale, duke shkrepur me armë zjarri. Sipas njoftimit të Policisë ata janë parë duke i ndihmuar edhe disa fëmijë që të gjuanin më armë.

“Me datë 01.01.2023 në ora 00:05 nëpërmes rrjeteve sociale është parë një video ku shihen disa persona të dyshuar duke shkrepur me arme zjarri, të cilët gjithashtu ndihmonin disa fëmijë që të gjuajnë me armë”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë të dyshuarit kanë deklaruar se kanë shkrepur me armë për të festuar me rastin e ndërrimit të viteve.

“Pasi që policia ka marr informacionin ka filluar hetimet, pas veprimeve operative hetimore është arrit që të dyshuarit të identifikohen dhe të lokalizohen. Në orët e paradites policia ka shkuar në vendngjarje, të shtëpia e të dyshuarve, katër të dyshuarit, pasi që janë përball me provat kanë pranuar veprën dhe i kanë dorëzuar armët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit të dyshuarit pasi që janë intervistuar janë liruar me procedurë të rregullt.

“Nga policia janë sekuestruar tri armë, një pushkë automatike dhe dy pistoleta me gjithë karikator dhe municion”, thuhet në njoftim.