Kronikë

Aktakuzë ndaj tetë të dyshuarve për dhunim të 11-vjeçares në qershor

ngacmim, dhunim, policia e kosoves, hetimet, u dhunua, vajza, gruaja

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të moshës madhore, si të dyshuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor.

Sipas aktakuzës, B.Rr. ngarkohet për veprën penale të “dhunimit”. Për “dhunim” dhe “trafikim me njerëz” ngarkohet D.Rr.. G.S. dhe B.S. akuzohen për “shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”. M.S. ngarkohet për “dhunim”, ndërsa F.S. ngarkohet për “dhunim” dhe “trafikim me njerëz”. M.R. ngarkohet për veprën penale të “shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit”. I pandehuri E.S. ngarkohet për “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

Rasti pati tronditur opinionin kur u bë publik në muajin gusht. Atë kohë fillimisht u raportua për pesë persona të dyshuar për dhunim të fëmijës. Më pas u zbulua se 11-vjeçarja ishte dhunuar edhe gjatë muajit qershor.

Para dy javësh Prokuroria pati ngritur aktakuzë edhe ndaj pesë personave për dhunim dhe shfrytëzim të 11-vjeçares në muajin gusht.