Kronikë

Sulmohet një ekip gazetarësh në veri

Rruga ne Rudar e bllokuar nga barrikadat - simboli Z i Rusise

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), njoftoi të hënën se është sulmuar një ekip i mediumit “Klan Kosova” në veri të Kosovës.

Në njoftim, AGK-ja tha se gjatë raportimit në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ekipi i mediumit është gjuajtur me gurë dhe është fyer.

“Ekipi i Klan Kosovës, i përbërë nga gazetari Haris Ademi, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, është sulmuar sot, përderisa po raportonin afër barrikadave të vendosura në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Sulmuesit në drejtim të ekipit kanë hedhur gurë, si dhe i kanë fyer e sharë. Ky është sulmi i tretë në drejtim të kolegëve, kështu duke rënduar dhe rrezikuar sigurinë e tyre përgjatë raportimeve. AGK-ja, sërish bënë thirrje tek organet kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët, njëherësh kërkojmë që të lejohen të bëjnë punën e tyre pa u penguar”, thuhet në njoftimin e Asociacionit.

Ky nuk është sulmi i vetëm ndaj mediave gjatë raportimit në veri të Kosovës, qëkur nisën tensionet.