Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten dy zyrtarë lidhur me rastin e njohur si “Subvencionet”.
Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari V.P., është ndaluar për 48 orë, ndërkaq, i dyshuari tjetër P.B., është liruar për procedurë të rregullt.
Ata dyshohen për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit, sot më 08.12.2022 në vazhdën e zhvillimit të hetimeve në rastin e njohur si ‘subvencionet’, me autorizim nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dy persona: V.P. dhe P.B., nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘marrja e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka arrestuar deri tani dhjetëra të dyshuar për përfshirje në mashtrim me subvencionet, derisa Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj shumë prej tyre.
Arrestimet lidhur me këtë rast kanë nisur në vitin 2021.