Kronikë

Plagoset një emigrant egjiptian në Kukës

Descriptive Text

Një emigrant nga Egjipti është plagosur rëndë, të hënën në Kukës. Ai është plagosur nga një pjesëtar i Komisariatit të Kukësit, gjatë një aksioni policor kundër trafikimit me emigrantë.

Prokuroria e Kukësit ka njoftuar se ka filluar procedurën ndaj policit K.B., për veprën penale “plagosje e rëndë nga pakujdesia”.

Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plagosjes dhe në njoftimin e Prokurorisë thuhet se po punohet për sqarimin e rrethanave.

Autoritetet kanë njoftuar se gjatë aksionit policor kanë arrestuar edhe shtetasin K.GJ., si i dyshuar për transportin e 13 emigranteve të paligjshëm në drejtim të Kosovës, të cilët më pas synonin vendet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e tij, shtetasit E.M. dhe E.H.

“Sot, më datë 05.12.2022 Drejtoria rajonale e Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (AMP) Dibër/Kukës në bashkëpunim me shërbimet policore të DVP Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: K.GJ. banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi, është bërë për veprën penale ‘Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim’ si dhe ‘Kundërshtim të punonjësve të policisë’. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit:-E.M. dhe E.H. të lindur në Fier. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin po transportonin drejt Kosovës, 13 shtetas të huaj nga vendet e treta”, ka bërë të dituar Prokuroria.

Trafikimi i emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrika, për në Kukës dhe më pas në Kosovë, ka filluar si tendencë në vitin 2020, me fillimin e pandemisë.