Kronikë

Shpallen në kërkim tre persona për vrasjen në Tiranë, dy prej tyre shtetas të Kosovës

Descriptive Text

Policia e Shqipërisë ka arritur të identifikojë personat e dyshuar për vrasjen e një 39-vjeçari në Tiranë, një muaj më parë.

Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, njëri për vrasjen dhe dy të tjerët për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim krimi – dy të fundit janë shtetas të Kosovës.

Për të dyshuarit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, ka njoftuar policia.

“Po bashkëpunohet ngushtësisht me policitë homologe, të Kosovës dhe të Malit të Zi, për lokalizimin dhe kapjen e tyre”.

Hetuesit përmes operacionit policor kanë arritur ta bëjnë dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes që ndodhu më 30 tetor në Tiranë ku u vra B.S., nga Lezha.

“Bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për shtetasit: V.(V.) K., 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, Lezhë, i dyshuar për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’; Gj. K., 49 vjeç, lindur dhe banues në Peje, i dyshuar për veprën penale ‘Përkrahja e autorit të krimit’; K. A., 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’”.

Nga hetimet është zbuluar se K.A., shtetas i Kosovës, i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gj. K., më 24 tetor, dhe po në këtë datë, ata e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit V.(V.) K., i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit B. S.

“Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë - Durrës, së bashku me armën e krimit”, ka njoftuar policia.