Kronikë

Aksion i Europolit edhe në Kosovë e Shqipëri, u shënjestruan produktet false dhe pirateria online

Agjencitë e zbatimit të ligjit nga 27 shtete kanë marrë pjesë në operacionin “Operation in Our Sites”, të koordinuar nga Europoli, për të goditur uebfaqet që ofronin produkte false apo ishin përfshirë në piratëri online.

Në mesin e vendeve ku është zhvilluar aksioni ishte edhe Kosova e Shqipëria.

Në aksionin e Europolit raportohet se janë goditur 12.526 faqe online, ndërsa janë sekuestruar 127.365 produkte të falsifikuara me vlerë 3.8 milionë euro. Janë shkëputur 32 serverë të përdorur për të shpërndarë përmbajtje të paligjshme për 2294 kanale televizive dhe janë mbyllur 15 dyqane online që shisnin produkte të falsifikuara në faqet online. Hetuesit sekuestruan produkte të falsifikuara si rroba, ora, këpucë, aksesorë, parfume, pajisje elektronike dhe kuti telefoni. 

“Çështjet kryesore vazhdojnë të jenë shkeljet e pronësisë intelektuale në markat tregtare, si dhe përmbajtjet me të drejtë autori të disponueshme nëpër IPTV, e po ashtu shërbimet e transmetimit të filmave. Zbulimet kryesore të operacionit që ndodhi nga 1 maji deri më 14 nëntor, tregojnë se më shumë produkte të falsifikuara po grumbullohen brenda kufijve të BE-së dhe se krimi i pronësisë intelektuale është i ndërthurur ngushtë me krimin e organizuar”, thuhet në Europol.

Pos Shqipërisë e Kosovës, në mesin e shteteve ku u zhvillua aksioni ishin edhe Belgjika, Bullgaria, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Çekia, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Lituania, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Zvicra, Britania e Madhe e SHBA-ja.