Personi i dyshuar për sulmin seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi në Pejë është liruar nga burgu të martën.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti. Ajo ka thënë se Prokuroria nuk ka propozuar kërkesë për vazhdim të paraburgimit dhe i dyshuari është liruar të mbrohet në liri.
“Nga Prokuroria nuk ka pasur propozim për vazhdim të paraburgimit. Sot i ka përfundu masat e paraburgimit”, ka thënë ajo për KOHËN.
Prokuroria Themelore në Pejë po e akuzon të dyshuarin F.B. për veprën penale “sulm seksual”.
Alpinistja Mrika Nikqi më 30 shtator e pati publikuar një video ku i dyshuari tenton ta sulmojë seksualisht. Rasti kishte ndodhur më 27 shator.
F.B. ishte arrestuar menjëherë pas publikimit të videos dhe më 1 tetor iu kishte caktuar masa e paraburgimit. Më 31 tetor, atij iu vazhdua edhe për një muaj paraburgimi.