Kronikë

Gjashtë të arrestuar në Lipjan për vjedhje në vlerë prej 150 mijë eurove

Gjashtë persona janë arrestuar të hënën në Lipjan, nën dyshimin se kanë vjedhur gjësende në vlerë prej 150 mijë euro.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti është raportuar nga një punëtori një ditë më parë në Janjevë.

Rasti është cilësuar “Vjedhje e rëndë”.

“Rasti ka ndodhë në Janjevë, saktësisht në një objekt (punëtori), ku të vjedhura janë raportuar gjësende që arrijnë vlerën rreth 150000 euro: pjesë të makinave për përpunimin e plastikës, mjete të ndryshme të punës, 10 kallëp të metalit për përpunimin e plastikës, 8 nxehëse që shërbejnë për shkrirjen e plastikës, 5 pompa uji, 1 trafo e rrymës/ furnizues për makinën e shkrirjes së plastikës etj, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas policisë, tre nga personat e arrestuar pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Me vendim të prokurorit, gjësendet e sekuestruara i janë kthyer pronarit legjitim.