Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit në rastin e mashtrimit për investim në kriptovaluta

Paraburgim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar caktimin të masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit me inicialet L.G., për shkak të veprës penale “Mashtrimi”.

I pandehuri L.G., gjendet në ndalim nga data 31 tetor 2022 me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi se i pandehuri nga gushti i vitit 2020 e në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me anë të premtimit të rrejshëm se paratë e investuara në kriptovaluta do t’iu kthehen të dëmtuarve së bashku me fitimin e tyre, ka marrë shuma të ndryshme të parave nga të dëmtuarit, deri në vlerë prej 500 mijë eurosh.

“Në këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit ka aplikuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, me ç’ rast më 12 tetor 2022, ka ndaluar dy persona të dyshuar të përfshirë në rastin e njëjtë dhe ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tyre, nën të cilën masë ndodhen aktualisht”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.