Kronikë

Vdiq një këmbësor që u godit nga vetura në Mazgit

Një këmbësor ka vdekur si pasojë e goditjes nga një veturë të martën rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se ky aksident me fatalitet ka ndodhur përkatësisht në fshatin Mazgit.

“Rreth orës 17:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, respektivisht në fshatin Mazgit, me ç’rast një veturë ka përplasur një këmbësor. Si pasojë e aksidentit këmbësori ka humbur jetën”, ka thënë Borovci.

Ai shtoi se njësia e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.