13 të arrestuar për bixhoz e fajde, konfiskohen mbi 55 mijë euro
Foto: Ilustrim
Operacioni i koduar “Toto” ka përfunduar me 13 të arrestuar për bixhoz dhe fajde të mërkurën pas kontrollimit të 19 lokacioneve në Prishtinë, Prizren, Malishevë e Suharekë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të së enjtes.
Disa prej të dyshuarve, sipas policisë, janë zënë duke mundësuar zhvillimin e lojërave online të bixhozit.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: para të gatshme 55.388 euro, 1700 franga zvicerane, 50.000 lekë, 100 dollarë, 1320 dinarë serb, dy armë zjarri, 39 copë fishekë, 29 telefona celularë, 1 kompjuter laptop, 2 USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura.
Të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.