Policia e Shqipërisë ka ndaluar një shkodran në afërsi të Fierit dhe në veturën e tij ia gjeti 44 mijë funte dhe 3 mijë euro.
Siç ka bërë të ditur Policia, 40-vjeçari u ndalua në vendin e quajtur Poçem, ndërsa ishte duke drejtuar veturën Mercedes. R.B. i janë sekuestruar 44 mijë funte dhe 3000 euro të cilat i kishte në veturë dhe nuk kishte dokumentacion për burimin e ligjshëm të tyre.
“Dyshohet se ato janë përfituar nga aktivitete kriminale. Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Fier referuan materialet dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. B., 40 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale". Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shumat e parave, 2 aparate celulare dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të burimit të të ardhurave të shtetasit R. B., si dhe nëse ky shtetas është i implikuar në veprimtari kriminale”, raportohet nga Policia.