Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën një 16-vjeçar në fshatin Talinovc i Muhaxherëve të Ferizajt, pasi i është gjetur një armë e zjarrit, gjysmautomatike, pa fishekë.
Sipas njoftimit të policisë, arma është gjetur si rezultat i një bastisjeje të kryer në këtë fshat.
“Sot, rreth orës 15:30, hetuesit e policisë të stacionit në Ferizaj, në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore të Gjilanit, kanë kryer një bastisje në fshatin Talinovc i Muhaxherëve në Ferizaj. Policia tek i dyshuari, personi me inicialet R.M., 16-vjeçar, ka gjetur dhe si prova materiale më pas ka konfiskuar një armë të zjarrit (gjysmautomatike) pa fishekë”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është liruar më pas në procedurë të rregullt hetimore.