Tri mjete të pashpërthyera janë gjetur në vend në 24 orët e fundit dhe KFOR-i bashkë me FSK-në kanë arritur t’i asgjësojnë pa ndonjë incident.
Një person e ka hasur një nga mjetet në skaj të Liqenit të Badovcit të premten.
“Një mashkull kosovar ka raportuar se në skaj të liqenit ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësiti përkatës policor ka siguruar vendin e ngjarjes, derisa njësiti për deminim i KFOR-it dhe FSK-së kanë bërë tërheqjen e mjetit pa incidente”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në fshatin Romajë të Prizrenit, një tjetër ka raportuar për mjet të pashpërthyer.
“Një mashkull kosovar ka raportuar se ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësiti përkatës policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së ka bërë asgjësimin e mjetit në mënyrë të kontrolluar. Nuk raportohet për ndonjë incident”.
Dhe në fshatin Lubizhdë të Malishevës, njësitë e kanë tërhequr granatën e dorës që ishte hasur aty.
“Një mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar ka vërejtur një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësiti përkatës policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së ka bërë tërheqjen e granatës së dorës. Nuk raportohet për ndonjë incident”, njoftoi PK-ja.