Një fëmijë 4 vjeç ka vdekur të enjten, pasi ka rënë në një bunar në fshatin Bajnicë të Kaçanikut, ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. Ai tha se trupi i fëmijës është nxjerrë pa shenja jete nga zjarrfikësit të cilët kanë dalë në vendngjarje.
Nuk dihen ende rrethanat në të cilat fëmija ka rënë në bunar.
“Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se sot rreth orës 11:15 në fshatin Bajnicë, në rrugën ‘Natyra’ të Kaçanikut, një fëmijë i moshës 4 vjeç ka rënë në një pus (bunar). Menjëherë Policia, Emergjenca, si dhe Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, por për pasojë trupi i tij është nxjerrë pa shenja jete, kjo e konfirmuar nga mjekët kujdestarë në vendin e ngjarjes. Në lidhje me këtë është njoftuar edhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt”, ka thënë Veseli.