Policia e Kosovës ka konfirmuar se një veturë që dyshohet se është e vjedhur sot (e mërkurë) dhe e cila i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) është kapur pak orë më vonë nga autoritetet e Shqipërisë në pikëkalimin kufitar në Qafë Morinë.
Zëdhënësi i policisë Bajram Krasniqi, ka konfirmuar rastin për KOHËN, duke sqaruar se pas dyshimeve, autoritetet e Shqipërisë kanë kontaktuar policinë e Kosovës dhe gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është e vjedhur.
“Vetura i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vetura drejtohej nga një mashkull, i cili kishte mungesë të dokumenteve dhe është prezantuar si: B.S., (viti i lindjes 1979, kosovar). Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Kurse, në Stacionin Policor ‘Qendra Prishtinë në ora 08:50 nga B.C., si ankues, është iniciuar rasti ‘vjedhje’. Vetura kishte qenë e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë”, ka thënë Krasniqi.