Kronikë

U privua padrejtësisht mbi 3 vjet nga liria, KGJK-ja obligohet t’ia paguajë afro 104 mijë euro

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Gjilan, pjesërisht e ka aprovuar kërkesëpadinë e G.L., duke e detyruar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) që atij t’ia paguajë shumën prej 103 mijë e 900 euro në emër të dëmit material dhe jomaterial, pasi ai ishte privuar nga liria padrejtësisht nga 13 shkurti i vitit 2013 deri më 31 maj 2016.

G. L. kishte laruar 1204 ditë në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprën penale të terrorizmit dhe pjesëmarrje në një grup terrorist.

Shumën afro 104 mijë euro, KGJK-ja është e obliguar t’ia paguajë paditësit G.L. me arsyetimin se ai gjatë qëndrimit në paraburgim ka përjetuar dhimbje shpirtërore, frikë, cenim të autoritetit, prestigjit, nderit, personalitetit dhe lirisë, lëndime trupore dhe dhimbje fizike, e të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një vendim të tillë e ka marrë gjykatësja Florije Qerimi me 13 qershor të këtij viti, ndërsa është refuzuar kërkesepadia e paditësit me të cilën ai ka kërkuar për rehabilitimin fiziatriko-psikik shumën prej 2 mijë e 170 euro, si dhe është refuzuar pjesa tjetër e kërkesëpadisë për kompensimin e dëmit jomaterial mbi shumën e gjykuar si në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit në shumë prej 996 mijë euro si të pabazuara.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, KGjK është detyruar që paditësit G.L. t’ia paguajë edhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 2 mijë e 348 euro e 80 centë.