Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore për të pandehurin F.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, I pandehuri ka përfituar para në shumën prej 60 mijë eurove.
“Prokuroria njofton se, i pandehuri F.M., nga data e pavërtetuar e deri më 02 gusht 2022 në një kafiteri në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, organizon dhe merr pjesë në zhvillimin e veprimtarisë së lojërave të fatit, baste sportive, ku nga bastet e luajtura nga Sh.H., i pandehuri përfiton para në shumën prej 60.000 eurosh”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, thuhet se i pandehuri F.M., më parë e deri më 09 gusht 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.
“Me këto veprime ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së. Prokurori i rastit ndaj të pandehurit F.M., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.