Kronikë

Arrestohet një person, policia ia bastisë shtëpinë dhe i gjen substanca narkotike

Një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë për përdorim të narkotikëve.

Të enjten, 4 gusht, Prokuroria Themelore ne Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Gjilan, pas informacioneve se një person i dyshuar po merret me shitblerjen e narkotikeve, me urdhër të gjykatës kanë bastisur shtëpinë e tij, njoftoi prokuroria përmes një komunikate.

Nga shtëpia kanë gjetur dhe sekuestruar këto dëshmi.

1) Një qese e vogël plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1.4 gramëve.

2) Një qese e plastikës me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 29.6 gramëve.

3) Një qese e plastikës me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 56.1 gramëve.

4) Një peshore elektronike – digjitale.

5) Një mulli për bluarje të marihuanës (grinder).

6) Një sasi e qeseve të vogla plasmani (minigripa) që shërbejnë për paketim të narkotikëve.

I dyshuari K.B., me vitin e lindjes 1978 nga Gjilani, dyshohet se me këtë ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe ndaj tij është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.