Kronikë

Kosovari në Austri tentoi ta vriste bashkëshorten me rrymë, rrezikon dënimin e përjetshëm

Një shtetas i Kosovës në Austri do të dalë para Gjykatës së Vjenës, për t’u përballur me akuzën se ka tentuar ta vriste bashkëshorten e tij 13 vjet më parë.

Siç raportoi të dielën mediumi austriak “Vienna”, 42-vjeçari që kishte tentuar ta vriste bashkëshorten, akuzohet edhe për dhunë ndaj 10 fëmijëve të tij. Fëmijët dyshohet se pësuan qindra herë goditje nga babai i tyre.

Sipas mediumit, derisa bashkëshortja po pastrohej në banjë, i dyshuari kishte kyçur kabllon elektrike në prizë, duke tentuar ta mbyste.

Viktima nuk pësoi goditje elektrike, pasi sipas Prokurorisë, ndërprerësi i energjisë reagoi duke ndërprerë furnizimin.

I pandehuri është deklaruar i pafajshëm në fazën e hetimeve, derisa gjyqi është paraparë të zgjasë dy ditë.

Në rast të vërtetimit të provave, i pandehuri mund të dënohet nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm.