Kronikë

Dy raste të therjes me thikë brenda 4-orësh në Prishtinë, tre të lënduar

Descriptive Text

Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e therjes me thikë në dy raste të shënuara të martën në Prishtinë.

Një person është therur rreth orës 14:00 në një lokal në “Lagjen e Spitalit”, i cili është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai ka shtuar se të përfshirë në këtë rast janë dy persona të dyshuar, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Ndërkohë që është iniciuar një hetim me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit”, ka thënë ai.

Rasti i dytë, i cili dyshohet se ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen “Mati”, ka përfunduar me dy persona të lënduar si pasojë e therjes me mjetin e mprehtë, të cilëve u është ofruar trajtim mjekësor.

Personi që dyshohet se e ka kryer sulmin me thikë, është arrestuar.