Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj Krivaqës e Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë të martën kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me vrasjen e Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më datë 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

"Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit", thuhet në njoftim.

Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi dyshohet se më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, “me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte vdekur”.

Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që dyshohet se kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar “në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës”. Ata dyshohen se pas rastit, tani të ndjerën e kishin dërguar dhe lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa vet kishin ikur në drejtim të panjohur.