Kronikë

Prokuroria nis hetimin për 50 mijë eurot që deputeti i VV-së pretendon se iu vodhën

Prokuroria Themelore e Prishtinës është ka nisur hetimin për rastin e raportuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, i cili ka pretenduar se i janë vjedhur 50 mijë euro në banesën e tij në Prishtinë.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me këtë rast, por nuk ka treguar nëse Shkreta do të hetohet për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Për rastin e ‘Vjedhjes së rëndë’ janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave të kësaj çështjeje penale. Meqenëse rasti është në hetime, aktualisht nuk mund të japim informata shtesë, andaj për zhvillimet e tjera do të njoftoheni në kohë”, ka thënë Ulaj.

Në raportin e deklarimit të pasurisë në AKK, të cilin e ka dorëzuar këtë vit Shkreta, nuk figurojnë paratë që tashmë i ka denoncuar si të vjedhura.

Sipas raportit të AKK-së, Shkreta ka deklaruar se posedon dy llogari bankare, me gjithsej 101 mijë e 689 euro në emër të tij.

Ai ka deklaruar edhe paratë në tri llogaritë e bashkëshortes së tij, që gjithsej janë 21 mijë e 98 euro.

Rastin e raportuar nga Shkreta në polici e kanë komentuar figura opozitare.

Nën moton “PropagandaVV”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka kujtuar kohën kur Lëvizja Vetëvendosje thërriste për ligj e rend me mesazhin “me hajna nuk ka shtet.

“Mirëmbrëma propagandaVV. Baxhaneqt qysh i keni? Qysh ke ajo ‘me hajna nuk ka shtet’ a? A? A tash ndoshta e keni ndrru’ trakën që keni hypë n’karriga t’lëkurës t’xhipave? A?”, ka shkruar Mustafa në Facebook.