Kronikë

Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se vrau të birin në Podujevë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për personin që dyshohet se ka vrarë djalin e tij, më 13 qershor në Podujevë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.S. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ngjarja ka ndodhur gjatë pasdites të së hënës në fshatin Peran të Podujevës, ku dyshohet se tragjedia ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve midis prindit dhe të birit për pronë.