Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar dy vetura BMW X6 me targa të Shqipërisë që datojnë të vjedhura nga viti 2010.
Siç ka njoftuar Policia, në pikën kufitare në Vërmicë, më 22 maj, është kontrolluar një veturë BMW X6 e zezë me targa të Shqipërisë.
Pas dyshimeve të ngritura se në numrin identifikues të automjetit mund të ketë ndërhyrje mekanike, në bashkëpunim me Policinë e FRONTEX-it janë kryer verifikime dhe hetime të detajuara. Ka rezultuar se automjeti është vjedhur në Itali në vitin 2010.
“Bazuar në të gjeturat dhe bashkëpunimin PK-FRONTEX, ka rezultuar se ky automjet rezulton të jetë vjedhur në Itali në vitin 2010 dhe më pastaj i falsifikuar dhe i regjistruar në Shqipëri. Gjithashtu merret vesh se një automjet i njëjtë me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në Itali”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, të martën, më 24 maj, në kufi në Kosovë policia ka kontrolluar një veturë tjetër BM] X6 me ngjyrë të bardhë e targa të Shqipërisë.
Në bashkëpunim me FRONTEX-in është konstatuar se automjeti ishte vjedhur në Itali në vitin 2010, ndërsa merret vesh se një automjet i njëjtë dhe me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në Lituani.
“Lidhur me këtë çështje është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit janë iniciuar rastet ”vjedhje dhe falsifikim i automjetit” dhe rastet adresohen tek njësia kompetente për hetime të mëtejme. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në menaxhimin dhe kontrollin efikas dhe efektiv të kufirit shtetëror”, thuhet në njoftimin e Policisë.
