Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion anti-drogë në Izvor në veri të Kosovës.
Policia ka zbuluar laboratorin për kultivimin e marihuanës me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg, ka njoftuar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material. Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës”, është thënë në postimin e Sveçlës në Facebook.
E aksionin e Policisë së Kosovës e ka mirëpritur edhe Lista Serbe.
“Lista Serbe mirëpret aksionin e Policisë nga rajoni i Veriut që u zhvillua sot me synim për të luftuar krimin në fushën e narkotikëve, me synim për të mbrojtur rininë tonë, fëmijët tanë. Ky aksion ka treguar se zyrtarët tanë në rajonin Veri kanë shkathtësi dhe kapacitet për ta luftuar krimin. Ne i japim përkrahje të plotë Policisë në veri për të vazhduar me aksione të tilla dhe për të mos lejuar individët të kriminalizojnë gjithë veriun me veprimet e tyre kriminale. Ne duam të dërgojmë mesazh të qartë se sa herë që Policia bën aksione profesionale si këto, gjithmonë do ta ketë përkrahjen e Listës Serbe dhe qytetarëve tanë”, është shkruar në postimin e Listës Serbe në Facebook.