Kronikë

Tre persona u mbytën në ujë të dielën, dy prej tyre fëmijë

Descriptive Text

Tri viktima janë shënuar të dielën në Kosovë, si pasojë e mbytjes në ujë. Dy prej tyre fëmijë dhe një i rritur, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të hënën.

Rastet kanë ndodhur në Dragash, Klinë dhe Mitrovicë.

Një fëmijë ka vdekur gjatë pasdites të së dielës në Dragash, pasi ka rënë në lumë derisa ishte duke luajtur me disa fëmijë të tjerë.

Viktima dyshohet se ka rënë nga një urë, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në lumë ka rënë edhe viktima që është shënuar në Klinë. Sipas dy dëshmitarëve që kanë dalë për peshkim gjatë mëngjesit të 22 majit, viktima është vërejtur duke u mbytur në lumin Klina.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore si dhe njësiti i FSK-së për kërkim –shpëtim të cilët e kanë bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga lumi. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës i cili me urdhër të prokurorit kujdestar dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

Viktima në Mitrovicë, është një fëmijë që është mbytur brenda kanalit të ujit Ibër-Lepenc.

Roja në këtë kanal ka vërejtur trupin e tij, të cilin e kanë tërhequr njësitë policore, zjarrfikësit dhe vullnetarët e fshatit.

Trupi i pajetë i viktimës është tërhequr rreth një kilometër larg nga vendi ku dyshohet të ketë rënë në kanal.

“Ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e viktimës, trupi i pajetë me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.