Kronikë

Ndalohen dy persona për tërheqjen e 95 mijë eurove nga llogaria e një personi tjetër

bankomat

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar të enjten se ka ndaluar pwr 48 orë dy persona, nën dyshimin se kanë bërë tërheqjen e 95 mijë eurove nga llogaria e një personi tjetër, në degën e bankës BKT në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari I.A., ish-drejtor i Degës së BTK-së në lagjen Pejton në Prishtinë ia ka mundësuar të dyshuarit tjetër SH.B., punëtor i autotaxit “Bini” në Gjilan, që të tërheqë shumën e parave nga llogaria bankare e një qytetari tjetër.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, dy persona të dyshuar me inicialet I.A.- ish-drejtor i degës se BKT-se në Pejton- Prishtinë dhe SH.B., -punëtor i autotaxit ‘Bini’- Gjilan, nën dyshimin për veprat penale ‘Keqpërdorimi i besimit’ dhe ‘Mashtrimi” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës’. Sipas Prokurorisë, dyshohet se ish-drejtori i BKT-së me inicialet (I.A), i ka mundësuar tërheqjen e parave të dyshuarit tjetër me inicialet (Sh.B), nga llogaria bankare e një qytetari, ku me ç’rast është bërë tërheqja shumës në vlerë prej 95 mijë eurove në degën e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT-së) në Ferizaj. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.