Kronikë

Aksion policor kundër drogës në Prishtinë, arrestohen pesë persona

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të mërkurën mbrëma, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale "blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge".

Sipas njoftimit policor, në Prishtinë, tre persona dyshohet se po blinin marihuanën nga i dyshuari i katërt.

Pas kontrollimit të banesës së njërit prej të dyshuarve, Policia bën të ditur se ka konfiskuar 2 kg e 512 gramë marihuanë, 1 gram kokainë, 2 peshore digjitale, 4 telefona celularë dhe 670 euro.

“Një orë më vonë hetuesit e antidrogës në një rast tjetër, po ashtu në Prishtinë, kanë arritur ta arrestojnë edhe një person tjetër të dyshuar (K.A.) për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe të konfiskohen dëshmi relevante për rastin”, thuhet në njoftim.

Të arrestuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.