Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj prizrenasit i cili kanosi vëllain dhe bashkëshorten e tij

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprën penale kanosja.

Sipas njoftimit të gjykatës, me 2 shkurt, në orët e pasdites në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare, i pandehuri i kanos të dëmtuarit, vëllain e tij dhe bashkëshorten e vëllait, si viktima të ndjeshme, me vepra apo gjeste se do t’i privojë nga jeta ose do t’i dëmtoj me armë zjarri, me shpërthim ose me ndonjë mjet tjetër të rrezikshëm, në atë mënyrë që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, ditën kritike i pandehuri fillimisht merr një sëpatë në duar dhe e thyen derën e hyrjes së shtëpisë, derën e hyrjes së dhomës së tij dhe xhamat e dritareve të dhomës së tij me arsyetimin kinse të dëmtuarit e kanë mbyllë derën e hyrjes, pastaj fjalosen mes vete, ku në një gjendje të tillë i pandehuri i kanos të dëmtuarit me fjalët “Ka me ju vra që të dyve”, ku te të njëjtit shkakton ndjenjën e frikës dhe pasigurisë për jetën dhe shëndetin e tyre.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimi është në fazën fillestare, dhe në vazhdim duhet të merren në pyetje të dëmtuarit, dëshmitarët dhe i pandehuri, dhe duhet të sigurohen edhe prova tjera me qëllim të zbardhjes së rastit, e me në lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti mund të dëmtojë procedurën hetimore, ndikojë në të dëmtuarin dhe dëshmitarët apo edhe të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftim.