Kronikë

Kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj

Agjencia Kundër Korrupsionit ka parashtruar kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, për veprën penale raportimi i rremë i pasurisë, ka konfirmuar Agjencia Kundër Korrupsion përmes një përgjigje me shkrim.

“Agjencia kundër Korrupsionit ka përcjell kallëzim penal kundër Blerim Isufaj, vepra penale nga neni 430 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, me datë 15.02.2022 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

I kontaktuar, Kryeprokurori Blerim Isufaj nuk ka pranuar të komentojë kallëzimin penal të ngritur kundër tij.

“Le t’i kallëzon krejt Agjencia, unë s’kam nevojë me komentu”, ka qenë përgjigjja e shkurtë e Isufajt.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën është edhe Blerim Isufaj, aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Ai ishte edhe kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës. /BetimipërDrejtësi