Një këmbësor është lënduar rëndë si pasojë e goditjes nga një veturë derisa ishte duke e kaluar rrugën sot rreth orës 18:00 në rrugën “Avdullah Bugari” të Rahovecit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, i ka thënë KOHËS se i lënduari është dërguar në repartin Ortopedik të Spitalit Rajonal në Gjakovë, pasi ka pësuar frakturë në dorën e djathtë dhe lëndime të tjera trupore.
“Sot rreth orës 18:00, Stacioni policor është njoftuar se në rrugën “Avdullah Bugari” në Rahovec, ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshirë ishin një automjet civil dhe një këmbësor. Ky aksident ka rezultuar me pasoja, me lëndime të rënda dhe dëme. Deri te aksidenti kishte ardhur derisa i dyshuari kishte qenë duke ngasë automjetin e tij në rrugë dhe kur arrin në afërsi pranë një furre të bukës, nga pa kujdesia duke mos iu përshtatur shpejtësisë, kushteve dhe rrethanave të rrugës godet me pjesën e parme te anës së majtë këmbësorin, i cili në momentin kritik kishte qenë duke kaluar rrugën, dhe si pasojë viktima merr lëndime të rënda trupore, frakturë në dorën e djathtë. Për shkak të lëndimeve, viktima ndalet për shërim të mëtejshëm në repartin Ortopedik në spitalin Rajonal në Gjakovë”, ka thënë Xhurkaj.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar hetuesit e aksidenteve të bëjnë shikimin e vendit të ngjarjes, derisa ka njoftuar se rasti procedohet në mënyrë të rregullt.