Thithja e tymit të shkaktuar nga një ngrohëse elektrike dyshohet se ka çuar në vdekjen e një 55-vjeçari në Zabel të Ulët të Drenasit të premten pasdite, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një 55-vjeçar, vdekja e të cilit është konstatuar nga mjekët emergjentë në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 14:00 është raportuar për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në fshatin Zabel i Ulët të komunës së Drenasit. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, 55 vjeç. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se viktima ka humbur jetën si rezultat i thithjes së tymit të shkaktuar nga një nxemëse elektrike”, thuhet në njoftimin e Policisë në Prishtinë.
Policia ka thënë se po e heton me kujdes të shtuar rastin dhe po ndërmerr veprimet hetimore që do të kontribuonin në hetim të ngjarjes.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.