Kronikë

Arrestohet përgjegjësi i Autoritetit Pyjor në Prizren për keqpërdorim të detyrës

Policia e Kosovës ka arrestuar përgjegjësin në Autoritetin Pyjor të Komunës së Prizrenit nën dyshimin se ka kryer veprën penale "keqpërdorim i pozitës zyrtare".

Sipas njoftimit, thuhet se drurët e prerë kundërligjshëm në parkun e qytetit, kanë pasur të dërgohen në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë, mirëpo i dyshuari i ka dërguar te një kompani private.

“Pas verifikimit të dokumentacionit dhe dëshmive të siguruara, janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve tre persona, dhe janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se personi i dyshuar në pozitën Përgjegjës në Autoritetin Pyjor në Komunën e Prizrenit, ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren dhe kërkesën e kësaj drejtorie, se drutë duhet të dërgoheshin në hapësirat e Shërbimit të Pylltarisë, e me pas Komuna të vendose tutje, ndërsa i dyshuari i kishte mundësuar që drutë rreth 60 metër kub i janë dhënë një kompanie private”, thuhet në njoftimin policor.

Në proces të prerjes dhe bartjes thuhet se ka qenë edhe një masë tjetër e konsiderueshme, që pritej të dërgoheshin te kompania private.

Për rastin në fjalë janë intervistuar tre persona në cilësinë e dëshmitarëve, derisa të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.