Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se ka shkatërruar një zinxhir të kontrabandimit të marihuanës nga Shqipëria në Serbia dhe se ka sekuestruar 300 kg drogë në Tërrnoc të Madh.
“Serbia nuk është dhe nuk do të jetë treg i marihuanës apo çfarëdo droge. Serbia nuk është dhe nuk do të jetë vend i sigurt për shitje të narkotikëve. Ky sekuestrim është goditje e rëndë për mafinë e drogës”, ka thënë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.
Njësiti Anti-Drogë i Serbisë ka njoftuar se janë arrestuar pesë persona, mbi dyshimet se kanë kryer krimin e prodhimit dhe të distrubimit të narkotikëve.
Janë arrestuar E.N. (1972), M.A. (1987), F.L. (1993), B.S. (1982) dhe A.T. (1953).
“Të dyshuarit janë arrestuar duke tentuar të dorëzonin marihuanën, të cilën e kishin transportuar me një furgon në një rrugë mes Tërrnocit të Madh dhe fshatit Turi në Bujanovc. Gjatë kontrollit janë gjetur 87 pako me marihuanë. Të dyshuarve ju ka caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve”, thuhet nga MUP.