Kronikë

Prizren, 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm dhe dëmtim të pasurisë

Burg

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30-ditësh, ndaj të pandehurit L.U., që dyshohet se ka kryer veprat penale “sulm” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Në vendimin e Gjykatës bëhet e ditur se masa e paraburgimit do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit, më datë 24 janar dhe mund të zgjasë deri më datën 24 shkurt.

Me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, Gjykata ka vlerësuar se nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se “Më 22 janar në orët e mesnatës, në Prizren, në bashkëveprim edhe me dy të pandehur të tjerë (të cilët aktualisht janë në arrati), me dashje përdorin forcën ndaj të dëmtuarit L.M., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje paraprake që kishin në mes veti, derisa i dëmtuari L.M., ishte i ndalur me automjetin e tij, të pandehurit fillimisht tentojnë ta nxjerrin te dëmtuarin nga vetura, e me pas i pandehuri L.U., me një shkop druri e godet te dëmtuarin L.M., ne kokë dhe trup e më pas edhe dy të pandehurit tjerë e godasin me shkop druri të dëmtuarin L.M., në pjesë të ndryshme të trupit, por që nuk i shkaktojnë dëmtime të dukshme trupore”.

Më tej bëhet e ditur se në datë, kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri L.U., ka dëmtuar pasurinë e personit tjetër, konkretisht automjetin e të dëmtuarit L.M., në mënyrë që pas përfundimit të përleshjes fizike mes tyre, në shenjë revolte me mjete të forta e godasin automjetin duke ia thyer xhamat, me ç’ rast me këtë veprim të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet penale janë në fazën fillestare, dhe me lënien në liri tët të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti do të pengojë rrjedhën normale të kësaj procedure penale, gjithashtu duke marrë për bazë mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, ku i dëmtuari sulmohet me mjete të forta – shkop druri, dhe i pandehuri e duket e goditur në vazhdimësi, tregon vendosmërinë për të kryer veprën penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.