Kronikë

Ndalohet zyrtari i SHSKUK-së, dyshohet për keqpërdorim të pozitës

Është ndaluar një zyrtar i SHSKUK-së nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit, zyrtari i IT-së me inicialet L.J., thuhet se veprën e ka kryer në cilësinë e menaxherit të kontratës nga QKUK “furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”. Hetimi mbi të ka zgjatur disa muaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Në Raportin e Auditimit të siguruar nga KOHA thuhet se edhe pse malli është pranuar me komision prej tre anëtarëve, gjatë auditimit nuk është gjetur sasia e deklaruar e as s'është gjetur pranimi i mallit nga depoisti. Ky i fundit më 27 gusht të 2021-s ka deklaruar se deri me këtë datë s'ka pasur asnjë pranim të mallit nga kontrata në fjalë.

"Sipas deklaratës së depoistit në këtë datë është sjellë një sasi e mallit e cila është lënë në depo por pa pranuar formalisht nga depoisti", thuhet nga Auditori.

I ndaluari, siç mëson KOHA është Leutrim Jahja.

“Prokurori i çështjes, lidhur me këtë rast është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, derisa ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale”, thuhet tutje në njoftimin policor.