Pritja e Jakub S. (63) nuk ka së mbaruari. Të mërkurën i akuzuari donte të paraqitej para gjykatës në Hannover për një tentim vrasje që ndodhi në vitin 1984.
Madje as avokati i tij, Joe Therond nga Osnabruck, nuk mund të tregonte pse klienti i tij nuk u paraqit, raporton “Neue Presse”.
Storia në vete është e pazakontë. Më 8 qershor të vitit 1984, dy persona hynë në një dyqan në Bruehlstrasse. Një polic që jetonte sipër dyqanit, u zgjua nga zhurma. Ai filloi të ndiqte hajdutët. Kur e kapi njërin dhe e shtyu për një veture, i tjetri e qëlloi me armë në shpinë.
Në fund të shkurtit të vitit 2019, gjykata e shkallës së parë e shpalli kosovarin Jakub S. të pafajshëm ndaj akuzave për tentim vrasje. Ai kishte heshtur në gjykatë. Ndërkohë akuza për vjedhje ishte parashkruar. Gjykata Federale e Drejtësisë e anuloi vendimin.
Kështu që duhej të rifillonte procesi.
Procesi dështoi në gushtin e vitit të kaluar.
“Nuk ishte faji i të pandehurit”, shpjegoi gjyqtari Joachim Lotz të mërkurën.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë nuk i kishte lëshuar vizën Jakub S. Gjykatësi raportoi se në vitin 2021 nuk kishte mundur të krijonte kontakte me Ambasadën në Kosovë.
Përkthyesi në këtë rast ka thënë të mërkurën se janë rreth 56 mijë kërkesa në Ambasadë dhe vetëm 400 trajtohen në muaj.
Gjykatësi Lotz dëshiron që te Ministria e Jashtme e Gjermanisë të intervenojë që Jakub S. t’i jepet përparësi për të marrë vizën.
Prokuroria e Përgjithshme në Celle duhet ta mbështesë këtë. A mund të mbetet i pandëshkuar një krim i rëndë në Hannover, sepse një autoritet gjerman nuk po bën punën e tij? Seanca gjyqësore tash është caktuar më 4 korrik të vitit 2022.
Bashkëpunëtori i Jakub S., i moshës 55-vjeçare, u dënua me tre vjet burg për vjedhje.
Kërkimi për Jakub S. ishte më i vështirë. Kur Policia e kuptoi se kush ishte, ai gjendej në Kosovë. Ai nuk mund të ekstradohej nga atëherë. Vetëm kur udhëtoi për në Shqipëri, ai u paraburgos aty në pritje për t’u ekstraduar.
Pas më shumë se 37 vjetëve, provat në këtë çështje janë të pakta. Polici i plagosur dëshmoi se ishte qëlluar nga një hajdut shumë më i vogël. Ai ka fiksuar autorin më të madh në një makinë. Jakub S. është 162 centimetra i gjatë, ndërsa bashkëpunëtori i tij 178 centimetra. Por, tek bashkëpunëtori i tij ishin gjetur gjurmë tymi, ndaj mund të ketë qëlluar edhe ai. Juria nuk donte të dënonte të pandehurin vetëm për shkak të ndryshimit në gjatësi.
“Meqenëse ishte natë dhe nuk ishte pamja e mirë, nuk mund të përjashtohet që dëshmitari të ketë gabuar”, tha gjyqtarja Hanni-Gisa Peiffer në gjykimin e saj të vitit 2019.
Por Gjykata Federale e Gjermanisë ka thënë se ka indikacione që nuk janë ndriçuar mjaftueshëm indikacionet në këtë rast. Gjurmët e tymit mund të jenë edhe për faktin se hajduti ka qenë pranë personit që ka qëlluar.