Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim ndaj gruas në Prizren që dyshohet se kanosi partnerin

 

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë, të pandehurës S.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën kanosja.

Sipas njoftimit të Gjykatës, më 19 korrik të vitit 2021, në orët e pasdites në Prizren, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, e pandehura S.H., seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që pasi e pandehura ka bashkëjetuar për një kohë me viktimën, me rastin e përkeqësimit të raporteve të tyre, e pakënaqur me këtë, fillon që ta shqetësojë të dëmtuarin, ku ditën kritike përmes numrit të saj të telefonit i dërgon mesazh në telefon, ku ndër të tjera e kanos me fjalët “... tash kemi për të vra se s’të kapi plumbi në Dibër tash vim te shpia jote se po të përcjellim, kemi qenë edhe mbrëmë te rruga yte por s’të kemi parë, por diej që një ditë do të bish në dorë dhe s’ke me i shpëtue me plumbit si në Dibër”, me çka tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.