Kronikë

30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për posedim të mbi 5 kg marihuanë

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit R.B., të dyshuar për posedim të marihuanës.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16.01.2022, rreth orës 08:00 minuta, në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës, i pandehuri së bashku me të dyshuarin N. N., pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të llojit marihuanë.

Të njëjtit nuk u janë bindur urdhrave të patrullës policore dhe kanë ikur me shpejtësi, ashtu që gjatë ndjekjes së veturës nga ana e zyrtarëve policorë, arrijnë të ndalojnë veturën dhe të arrestojnë të pandehurin R. B., ndërsa i dyshuari N. N. kishte arritur të largohej nga vendi, por gjatë ndjekjes i njëjti e hedh çantën me substancë narkotike, duke ikur në drejtim të panjohur.

Me këtë rast janë gjetur dhe konfiskuar 5 kg e 185 gram marihuanë dhe një shumë e të hollave prej 925 euro.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.