Kronikë

Shpallet i pafajshëm i akuzuari për dy grabitje në Pejë dhe vepra tjera penale

Pejë- Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Bajram Avdimetaj, i cili ngarkohej për dy grabitje në Pejë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimi ndaj Avdimetajt u shpall të martën nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Kuka-Mekaj tha se nuk është provuar që i pandehuri Bajram ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohej.

Të akuzuarit i ndërprehet masa e arrestit shtëpiak, ndërsa shpenzimet e procedurës bien në llogari të gjykatës.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 1 korrik 2021, nga Prokuroria e Pejës, më 27 korrik 2018, në rrugën “UÇK”, në Pejë, në lokalin “Play for Win” dhe në kompaninë derivateve “Al Petrol”, i akuzuari Bajram Avdimetaj, i armatosur dhe maskuar kishte hyrë në bastoren sportive duke shtënë një herë në drejtim të dyshemesë derisa në këtë lokal kishin qenë dëshmitarët Rrustem Mehmeti dhe Agron Brala, dhe ka grabitur shumën prej 115 euro. Kurse, në pompën e benzinës merr shumën prej 120 euro.

Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Grabitja”, nga neni 329, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 81 të ish-KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi me burgim prej 7 deri 12 vite burgim.

Avdimetaj akuzohej se në natën kritike kishte kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shkrepur nga një herë në drejtim të dyshemesë duke shkaktuar rrezik për dëshmitarët dhe më pas derisa ndiqet nga zyrtarët policorë Hajdar Ahmeti dhe Sulltan Kadrija, në ikje e sipër me të njëjtit shkëmben zjarr, duke rrezikuar jetët e tyre dhe jetën e qytetarëve.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365, par.1 të ish-Kodit Penal, për të cilën parashihet dënimi prej 6 muaj deri 5 vite burgim.

I njëjti ngarkohej edhe me armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, pas ngjarjes së ndodhur, rreth 500 metra nga vendimi i ngjarjes së bashku me gjësendet tjera, është gjetur edhe arma e përdorur nga i pandehuri e cila është e llojit “Zoraki”, për të cilin parashihet deri me 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në 5 vite. /BetimipërDrejtësi