1 perditesime
19:03

Shoqata e Bankave e dënon sulmin ndaj transportuesit të parave

Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar pas sulmit të armatosur që ka ndodhur sot në orët e pasdites ndaj automjetit transportues të parave në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

“Shoqata e Bankave të Kosovës e dënon sulmin ndaj transportuesit të mjeteve financiare dhe kërkon zbardhjen e rastit nga organet kompetente të sigurisë si dhe identifikimin sa më të shpejtë të kryerësve të kësaj vepre dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Sipas saj, ky incident tregon rëndësinë dhe nevojën që institucionet e sigurisë të jenë vigjilente në këtë fundvit.

“Vlerësojmë se situata e deritanishme e sigurisë ka qenë e qetë, megjithatë ky incident i sotëm tregon rëndësinë dhe nevojën që institucionet e sigurisë të jenë vigjilente në këtë fundvit, pasi që rastet e sulmeve të tilla kanë prirje të rriten në prag të festave të fundvitit. Me qëllim të krijimit të një klime dhe ambienti sa më të sigurt, konsiderojmë se është e nevojshme që të ketë kujdes të shtuar nga Policia e Kosovës. Andaj, i bëjmë thirrje të gjitha organeve të sigurisë për ngritje të nivelit të gatishmërisë në parandalimin e këtyre rasteve të rrezikshme që mund të jenë me pasoja të mëdha për qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi.

16:56

Gjuhet me armë zjarri kombi që po transportonte paratë e bankave në rrugën Gjilan-Prishtinë

Një kombi që po transportonte paratë e një banke ka rënë pre e të shtënave me armë në fshatin Parallovë, në rrugën Gjilan-Prishtinë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Ju njoftojmë se më datën 18.11.2021, rreth orës 15:25, kemi pranuar një informate se në fshatin Parallovë, magjistralen Gjilan-Prishtinë, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kombi i një kompanie, i cili ka qenë duke transportuar para të bankave”, thuhet në njoftim.

Njësitet relevante të Policisë kanë dalë në vend të ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.