2 perditesime
22:53

Arrestohen 6 persona e sekuestrohen 125 mijë euro të dyshuara në disa rajone të Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar gjashtë persona dhe janë sekuestruar 125,000 euro të dyshuara si dhe 5 vetura të modeleve të ndryshme, nga aksioni i Policisë të mërkurën mbrëma, në disa komuna të Kosovës.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe njësitet tjera relevante, kanë realizuar një aksion në disa lokacione të ndryshme në qytetet Ferizaj, Fushë Kosovë, Viti, Kaçanik, si dhe në Prishtinë. Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë arrestuar gjashtë (6) persona, me inicialet A.Q., Sh.R., A.O., F.L., H.L dhe L.S., të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Shpëlarje parash”, “Falsifikim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Gjithashtu, nga të dyshuarit në vendin e ngjarjes janë sekuestruar të holla në vlerë prej njëqindenjëzetepesë mijë (125.000) euro të dyshuara, si dhe pesë (5) vetura të modeleve të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesa për caktimin e paraburgimit.

21:36

Gjashtë të arrestuar në aksionin kundër krimeve ekonomike e korrupsionit

Gjashtë persona janë arrestuar në aksionin e Policisë së Kosovës mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë e Ferizaj.

Të arrestuarit dyshohen për pastrim e falsifikim të shumave të mëdha parash. Janë konfiskuar edhe disa vetura.

Sipas burimeve të KOHËS, aksioni kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit po vazhdon edhe në komuna të tjera.

20:44

Policia nis një aksion tjetër kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë

Policia e Kosovës ka nisur një aksion në mbrëmjen e të mërkurës, kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në rajonin e Prishtinës.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë duke e realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës. Pas përfundimit të operacionit policor do të njoftoheni me informacione shtesë”, ka thënë Krasniqi.

Më 13 tetor, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës në veri dhe disa pjesë të tjera të Kosovës, përfshirë rajonin e Prishtinës.

Aksioni në veri pati nxitur reagimin e qytetarëve serbë atje, të cilët kishin vendosur barrikada për t’i bllokuar lëvizjet e Policisë. Gjatë aksionit ishte hedhur edhe gaz lotsjellës nga Policia për të shpërndarë protestuesit serbë. Po ashtu, gjatë aksionit ishin lënduar disa policë të cilët ishin gjuajtur me gurë.