Kronikë

Paraburgim tre të dyshuarve për fajde në Deçan, Gjykata jep detaje

Masa e paraburgimit prej një muaji u është caktuar tre personave nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Deçan, nën dyshimet për veprën penale të fajdesë.

Sipas njoftimit të Themelores, i pandehuri H.T., nga janari i vitit të shkuar e deri në maj të po atij viti, dyshohet se i kishte dhënë para në emër të fajdesë të dëmtuarit që si pasojë e pandemisë s’kishte mundur t’i hiqte borxhet që kishte. Edhe në maj të 2020-s ai kishte vepruar njëjtë, ndërsa sivjet, një vit pasi ia kishte dhënë paratë e ka kërcënuar për t’ia kthyer. Për këtë ai dyshohet se ka kryer veprën penale të fajdesë dhe kanosjes.

Fajde dyshohet se ka dhënë edhe A.V., në tetor të 2020-s. Sipas Gjykatës, i dëmtuari e ka paguar çdo muaj kthimin e fajdesë.

Ndërkaq A.Ç. në janar të vitit të shkuar e deri më 15 shtator sivjet, dyshohet se ka ndihmuar një tjetër person për të kryer veprën penale të fajdesë duke shërbyer si ndërmjetësues te H.T. që t’i jepte para të dëmtuarit. Ky dyshohet për veprën penale të ndihmës në kryerjen e fajdesë.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që po që se të pandehurit gjenden në liri, mund të kryejnë vepër të re penale apo të arratisen. Prandaj ka vendosur për masën e paraburgimit.